Skip to content
Opens in a new window

[1] O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur.

[2] Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.

[3] Sepse, për hirin që më është dhënë, unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit.

[4] Sepse, sikurse në një trup kemi shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët nuk kanë të njëjtën funksion,

[5] kështu edhe ne, megjithse jemi shumë, jemi një trup në Krishtin dhe secili jemi gjymtyrë të njeri tjetrit.

[6] Dhe tani, duke pasur dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha, nëse kemi profecinë, të profetizojmë sipas masës së besimit;

[7] nëse kemi shërbim, le t'i kushtohemi shërbimit; po kështu mësuesi të jepet pas mësimit;

[8] dhe ai që nxit, le t'i kushtohet nxitjes; ai që ndan, le ta bëjë me thjeshtësi; ai që kryeson le të kryesojë me zell; ai që bën vepra mëshirë, le t'i bëjë me gëzim.

[9] Dashuria le të mos jetë me hipokrizi; urreni të keqen dhe ngjituni pas së mirës.

[10] Duani njeri tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim tregoni kujdes njeri me tjetrin.

[11] Mos u tregoni të përtuar në zell; jini të zjarrtë në frymë, shërbeni Perëndisë,

[12] të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje;

[13] ndihmoni për nevojat e shenjtorëve, jini mikpritës.

[14] Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni dhe mos mallkoni.

[15] Gëzohuni me ata që gëzohen, dhe qani me ata që qajnë.

[16] Kini të njëjtat mendime njeri me tjetrin; mos lakmoni për lart, por rrini me të përunjurit; mos e mbani veten për të mënçur.

[17] Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe, kërkoni të bëni të mirën përpara gjithë njerëzve.

[18] Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit.

[19] Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: ''Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti''.

[20] ''Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur''.

[21] Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën.

Romakëve — Chapters