[1] "Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim për të përgatitur rrugën para meje. Dhe menjëherë Zoti, që ju kërkoni, do të hyjë në tempullin e vet, engjëlli i besëlidhjes që ju kërkoni me endje, ja, do të vijë", thotë Zoti i ushtrive.
[2] "Po kush do të mund të durojë ditën e ardhjes së tij? Kush do të mund të qëndrojë më këmbë ditën kur ai do të shfaqet? Ai është si zjarri i shkrirësit, si soda e larësve.
[3] Ai do të ulet si ai që shkrin dhe pastron argjendin; do t'i pastrojë bijtë e Levit dhe do t'i rafinojë si arin e argjendin, me qëllim që ata të mund t'i ofrojnë Zotit një blatim me drejtësi.
[4] Atëherë oferta e Judës dhe e Jeruzalemit do të pëlqehet nga Zoti, si në kohët e shkuara, si në vitet e mëparshme.
[5] Kështu unë do t'ju afrohem për gjykim dhe do të jem një dëshmitar i gatshëm kundër magjistarëve, kundër shkelësve të kurorës, kundër atyre që bëjnë betime të rreme, kundër atyre që vjedhin mëditjen e punëtorit, që shtypin të venë dhe jetimin, që dëbojnë të huajin dhe nuk më kanë frikë", thotë Zoti i ushtrive.
[6] "Unë jam Zoti, nuk ndryshoj; prandaj ju, o bij të Jakobit, nuk jeni konsumuar.
[7] Që në ditët e etërve tuaj ju jeni larguar nga statutet e mia dhe nuk i keni respektuar. Kthehuni tek unë dhe unë do të kthehem tek ju", thotë Zoti i ushtrive. "Por ju thoni: "Si duhet të kthehemi?".
[8] Një njeri do të vjedhë Perëndinë? Megjithatë ju më vidhni dhe pastaj thoni: "Çfarë të kemi vjedhur?". Të dhjetën dhe ofertat.
[9] Mallkimi ju ka qëlluar, sepse më vidhni, po, mbarë kombi.
[10] Sillni gjithë të dhjetat në shtëpinë e thesarit, që të ketë ushqim në shtëpinë time dhe pastaj më vini në provë për këtë gjë", thotë Zoti i ushtrive, "në se unë nuk do t'i hap pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini.
[11] Përveç kësaj do të qortoj shumë për ju gllabëruesin, me qëllim që ai të mos shkatërrojë më frytin e tokës suaj, dhe vreshti juaj nuk do të rreshtë të sjellë për ju fryt në fushë", thotë Zoti i ushtrive.
[12] "Të gjitha kombet do t'ju shpallin të lumtur, sepse ju do të jeni një vend kënaqësish", thotë Zoti i ushtrive.
[13] "Keni përdorur fjalë të ashpra kundër meje", thotë Zoti. "Megjithatë thoni: "Çfarë kemi thënë kundër teje?".
[14] Keni thënë: "Éshtë e kotë t'i shërbesh Perëndisë; ç'përfitim kemi nga respektimi i urdhërimeve të tij dhe nga vajtja para Zotit të ushtrive të veshur me rroba zie?
[15] Prandaj ne i shpallim të lumtur krenarët. Ata që kryejnë paudhësi jo vetëm përfitojnë, por ndonëse e provokojnë Perëndinë, mbeten të pandëshkuar"".
[16] Atëherë ata që kishin frikë nga Zoti i folën njëri tjetrit. Zoti i dëgjoi me vemendje dhe një libër kujtimi u shkrua përpara tij për ata që kanë frikë nga Zoti dhe që e nderojnë emrin e tij.
[17] "Ata do të jenë të mitë", thotë Zoti i ushtrive, "ditën kur unë përgatis thesarin tim të veçantë, dhe unë do t'i fal, ashtu si e fal njeriu birin që i shërben atij.
[18] Atëherë do të shikoni përsëri ndryshimin ndërmjet të drejtit dhe të pabesit, ndërmjet atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben atij".