[1] Zoti i tha akoma Moisiut: "Folu priftërinjve, bijve të Aaronit, dhe u thuaj: Asnjë prift të mos ndotet për një të vdekur në mes të popullit të tij,
[2] veç se po të jetë një i afërm i tij i një gjaku: nëna, ati, biri, bija, vëllai
[3] dhe motra e tij ende e virgjër që jeton me të, dhe që nuk është martuar ende; për atë mund të ndotet.
[4] Duke qënë një udhëheqës në mes të popullit të tij, nuk do të ndotet duke përdhosur veten e tij.
[5] Priftërinjtë nuk do të bëjnë tonsurën mbi kokën e tyre, nuk do të rruajnë mjekrën e tyre dhe nuk do të bëjnë prerje mbi mishin e tyre.
[6] Do të jenë të shenjtë për Perëndinë e tyre dhe nuk do të përdhosin emrin e Perëndisë së tyre, sepse i ofrojnë flijime Zotit, të përgatitura me zjarr dhe bukën Perëndisë së tyre; prandaj do të jenë të shenjtë.
[7] Nuk do të marrin për grua një kurvë, as edhe një grua faqenxirë; nuk do të marrin një grua të ndarë nga burri, sepse janë të shenjtë ndaj Perëndisë së tyre.
[8] Ti do ta konsiderosh priftin të shenjtë, sepse ai i ofron bukën Perëndisë tënd; ai ka për të qënë i shenjtë për ty, sepse unë, Zoti që ju shenjtëroj, jam i shenjtë.
[9] Në rast se bija e një prifti humb nderin duke u bërë kurvë, ajo turpëron të atin: ajo do të digjet me zjarr.
[10] Por ai që është kryeprift midis vëllezërve të tij, mbi kokën e të cilit është vënë vaji i vajosjes dhe që është shenjtëruar për të veshur rrobat e shenjta, nuk do të zbulojë kokën dhe nuk do të shqyejë rrobat.
[11] Nuk do t'i afrohet asnjë kufome; nuk do të ndotet as për të atin, as për të ëmën.
[12] Nuk do të dalë nga shenjtërorja dhe nuk do të përdhosë shenjtëroren e Perëndisë së tij, sepse shenjtërimi i vajosjes nga ana e Perëndisë është mbi të. Unë jam Zoti.
[13] Do të marrë për grua një virgjëreshë.
[14] Nuk do të marrë as grua të ve, as të ndarë nga burri, as grua faqenxirë, as kurvë; por do të marrë për grua një virgjëreshë nga populli i tij.
[15] Nuk do të turpërojë trashëgimtarët e tij në mes të popullit; sepse unë jam Zoti që ju shenjtëron".
[16] Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
[17] "Foli Aaronit dhe i thuaji: Në brezat e ardhshëm asnjë burrë nga fisi yt, që ka ndonjë gjymtim, nuk do të mund të afrohet për të ofruar bukën e Perëndisë së tij;
[18] sepse asnjë njeri që ka ndonjë gjymtim nuk do të mund të afrohet: as i verbri, as i çali as ai që ka një fytyrë të përçudnuar, ose ka një gjymtyrë të deformuar,
[19] një thyerje të këmbës apo të dorës,
[20] as gungaçi as shkurtabiqi as ai që ka një njollë në sy apo një ekzemë, a zgjeben apo herdhet të shtypura.
[21] Asnjë burrë nga fisi i priftit Aaron që ka ndonjë gjymtim nuk do të afrohet për t'i ofruar flijimet e bëra me zjarr Zotit. Ka një gjymtim; të mos afrohet për të ofruar bukën e Perëndisë së tij.
[22] Ai do të mund të hajë bukën e Perëndisë së tij, gjëra shumë të shenjta dhe gjëra të shenjta;
[23] nuk do t'i afrohet velit as edhe altarit, sepse ka një gjymtim. Nuk do të përdhosë vendet e mia të shenjta, sepse unë jam Zoti që i shenjtëroj".
[24] Dhe Moisiu ia tha këto gjëra Aaronit, bijve të tij dhe gjithë bijve të Izraelit.