[1] Kundër Moabit. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Mjerë Nebi, sepse u shkatërrua; Kiriathaimi është mbuluar nga turpi, është pushtuar; kështjella është mbuluar nga turpi dhe është e tronditur.
[2] Lavdia e Moabit nuk është më; në Heshbon kurdisin të keqen kundër tij, duke thënë: "Ejani dhe ta shkatërrojmë, në mënyrë që të mos jetë më një komb". Edhe ti, o Madmen, do të shkatërrohesh, shpata do të të ndjekë.
[3] Një zë që kërkon ndihmë do të dalë nga Horonaimi: shkatërrim dhe rrënim i thellë!
[4] Maobi është copëtuar, të vegjlit e tij bëjnë që të dëgjohet zëri i tyre.
[5] Mbi të përpjetën e Luhithit po ngjiten duke qarë në hidhërim, ndërsa në tatëpjetën e Horonaimit dëgjohet zëri plot ankth i disfatës.
[6] Ikni, shpëtoni jetën tuaj dhe bëhuni si një marinë në shkretëtirë!
[7] Duke qënë se ke pasë besim në veprat e tua dhe në thesaret e tua, edhe ti do të kapesh; dhe Kemoshi do të shkojë në robëri bashkë me priftërinjtë dhe princat e tij.
[8] Shkatërruesi do të vijë kundër të gjitha qyteteve, dhe asnjë qytet nuk do të shpëtojë; lugina do të zhduket dhe fusha do të shkatërrohet, ashtu si ka thënë Zoti.
[9] I jepni krahë Moabit, që të mund të fluturojë tutje; qytetet e tij do të bëhen të shkreta dhe askush nuk do të banojë në to.
[10] I mallkuar qoftë ai që kryen veprën e Zotit shkel e shko, i mallkuar qoftë ai që e pengon shpatën e tij të derdhë gjak!
[11] Moabi ka qënë i qetë qysh në moshë të re, duke pushuar mbi llumin e tij, dhe nuk ka kaluar nga një enë në enën tjetër dhe as që ka shkuar në robëri; prandaj i ka mbetur shija e tij dhe parfumi i tij nuk ka pësuar ndryshime.
[12] Prandaj ja, do vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat do t'i dërgoj disa njerëz që do t'i toçitin enët; do t'i zbrazin enët e tij dhe do t'i thyejnë anforat e tij.
[13] Atëherë Moabit do t'i vijë turp nga Kemoshi, ashtu si shtëpia e Izraelit u turpërua nga Betheli, tek i cili kishte pasur besim.
[14] Si mund të thoni: "Ne jemi burra të fortë dhe trima për betejën"?
[15] Moabi është shkatërruar; qytetet e tij po nxjerrin tym dhe të rinjtë e tyre më të mirë zbresin në kasaphanë", thotë Mbreti emri i të cilit është Zoti i ushtrive.
[16] Gjëma e Moabit është tashmë e afërt dhe kobi po i vjen me hapa të shpejtë.
[17] Mbani zi për të, të gjithë ju që e rrethoni dhe të gjithë ju, që njihni emrin e tij, thoni: "Si u thye ai skeptër i fortë, ai bastun i mrekullushëm?".
[18] O bijë që banon në Dibon, zbrit nga lavdia jote dhe ulu në tokën e zhuritur, sepse shkatërruesi i Moabit ka dalë kundër teje, ka shkatërruar kështjellat e tua.
[19] O ti që banon në Aroer, ndalu gjatë rrugës dhe shiko; merr në pyetje ikanakun dhe atë që po ikën dhe pyet: "Çfarë ka ndodhur?".
[20] Moabi është mbuluar me turp, sepse është i thyer; rënkoni dhe bërtisni, njoftoni mbi Arnonin që Moabi është shkatërruar!
[21] Një ndëshkim erdhi mbi krahinën e fushës, mbi Holon, mbi Jahatsin dhe mbi Mefaathin,
[22] mbi Dibonin, Nebon dhe mbi Beth-Diblathaimin,
[23] mbi Kiriathaimin, Beth-Gamulin dhe Beth-Meon,
[24] mbi Keriothin, Botsrahun dhe mbi tërë qytetet e vendit të Moabit, të largëta dhe të afërta.
[25] Briri i Moabit është prerë dhe krahu i tij është copëtuar", thotë Zoti.
[26] "Deheni, sepse është ngritur kundër Zotit. Moabi do të vërtitet në të vjellat e tij dhe do të bëhet edhe ai objekt talljeje.
[27] Izraeli vallë nuk ka qënë për ty një objekt talljeje? Mos u gjet vallë midis hajdutëve, sepse sa herë që ti flet për të ti po tund kokën?
[28] Braktisni qytetet dhe shkoni të banoni në shkëmb, o banorë të Moabit, dhe bëhuni si pëllumbesha që bën folenë e saj në faqet e një gremine.
[29] Kemi dëgjuar krenarinë e Moabit, jashtëzakonisht krenar, fodullëkun e tij, kryeneçësinë e tij, arrogancën e tij dhe mendjemadhësinë e zemrës së tij.
[30] Unë e njoh tërbimin e tij", thotë Zoti, "që nuk ka përmbajtje, të mburrurit e tij që nuk ka përfunduar në asgjë.
[31] Prandaj unë po ngre një vajtim mbi Moabin dhe do të lëshoj britma nëpër të gjithë Moabin; do të vajtohet për burrat e Kir-Heresit.
[32] O vreshtë e Sibmahut, unë qaj për ty ashtu si qahet për Jazerin; shermendet e tua kanë arritur matanë detit, arrinin deri në detin e Jazerit. Shkatërruesi i tij është sulur mbi frytet e tua verore dhe mbi rrushin që do vilej.
[33] Gëzimi dhe hareja janë zhdukur nga fusha pjellore dhe nga vendi i Moabit; bëra që të zhduket vera nga butet, askush nuk e shtrydh më rrushin me britma gëzimi, britmat e tyre nuk janë më britma gëzimi.
[34] Për shkak të britmës së Heshbonit zëri i tyre u dëgjua deri në Elealeh dhe në Jehats, nga Tsoari deri në Horonaim, ashtu si një lopë trevjeçare; ujrat e Nimrimit madje janë bërë një shkreti.
[35] Unë do të fik në Moab", thotë Zoti, "atë që ofron flijime mbi vendet e larta dhe atë që u djeg temjan perëndive të tij.
[36] Prandaj zemra ime për Moabin do të qajë si fyejt, zemra ime do të qajë si fyejt për burrat e Kir-Heresit, sepse pasuria që kanë fituar ka humbur.
[37] Sepse çdo kokë do të rruhet, çdo mjekër do të pritet, mbi të gjitha duart do të ketë të prera dhe mbi ijët do të jetë thesi.
[38] Mbi të gjitha çatitë e Moabit dhe në sheshet e tij s'ka veçse vajtim, sepse unë e kam bërë copë-copë Moabin, si një enë që nuk ka më vlerë", thotë Zoti.
[39] "Do të vajtojnë duke thënë: "Si u thye! Si ka kthyer Moabi paturpësisht kurrizin! Si është bërë Moabi tallja dhe frika e atyre që i rinë rrotull"".
[40] Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, ai do të nisë fluturimin si një shqiponjë dhe do t'i hapë krahët e tij në drejtim të Moabit.
[41] Keriothi u pushtua, fortesat janë zënë dhe zemra e trimave të Moabit në atë ditë do të jetë si zemra e një gruaje në dhembjet e lindjes.
[42] Moabi do të shkatërrohet, nuk do të jetë më popull, sepse është ngritur kundër Zotit.
[43] Frika, gropa, laku të kërcënojnë, o banor i Moabit" thotë Zoti.
[44] "Kush ikën përpara frikës do të bjerë në gropë dhe kush del nga gropa do të kapet në lak, sepse unë do të sjell mbi të, mbi Moabin vitin e ndëshkimit të tij" thotë Zoti.
[45] "Në hijen e Heshbonit ndalen, të kapitur, ikanakët, por një zjarr del nga Heshboni dhe një flakë nga mesi i Sihonit, që përpin anët e Moabit dhe pjesën e sipërme të kokës së njerëzve kryengritës.
[46] Mjerë ti, O Moab! Populli i Kemoshit është i humbur sepse bijtë e tu janë çuar në robëri dhe bijat e tua në mërgim.
[47] Por unë do të kthej Moabin nga robëria gjatë ditëve të fundit, thotë Zoti". Deri këtu gjykim mbi Moabin.