Skip to content
Opens in a new window

[1] "Kur dëshiroja të shëroja Izraelin, atëherë u zbulua paudhësia e Efraimit dhe ligësia e Samarisë, sepse veprojnë me falsitet: vjedhësi hyn, një bandë vjedhësish bën sulme jashtë.

[2] Atyre nuk u shkon në mend që unë nuk e harroj gjithë ligësinë e tyre. Tani veprimet e tyre i rrethojnë nga çdo anë; ato qëndrojnë para fytyrës sime.

[3] Me ligësitë e tyre gëzojnë mbretin dhe me gënjeshtrat e tyre krerët e tyre.

[4] Janë të gjithë shkelës të kurorës, si një furrë e ngrohur nga furrtari, që nuk e nxit më zjarrin mbasi ka brumosur miellin deri sa të vijë brumi.

[5] Në ditën e mbretit tonë, krerët e kanë bërë të sëmuret afshin e verës; mbreti u ka shtrirë dorën tallësve.

[6] Ndërsa rrinë në pritë, ata e përgatitin zemrën e tyre si një furrë; furrtari i tyre fle tërë natën, dhe në mëngjes furra e tyre të djeg me një zjarr flakërues.

[7] Të gjithë janë të zjarrtë si një furrë dhe i hanë gjykatësit e tyre; gjithë mbretërit e tyre kanë rënë, por asnjë prej tyre nuk më kërkon.

[8] Efraimi përzihet me popujt, Efraimi është një kulaç i pakthyer.

[9] Të huajt gllabërojnë forcën e tij, por ai nuk e vë re; po flokët e kokës kanë ngjyrë të përhime, por ai nuk i vë re.

[10] Kryelartësia e Izraelit dëshmon kundër tij, sepse ata nuk kthehen tek Zoti, Perëndia i tyre, nuk e kërkojnë megjithëatë.

[11] Efraimi është një pëllumbeshë budallaçkë, pa mend; ata thërresin Egjiptin, shkojnë në Asiri.

[12] Ndërsa shkojnë, do të shtrij mbi ta rrjetën time dhe do t'i bëj që të rrëzohen si zogjtë e qiellit; do t'i ndëshkoj, siç u paralajmërua në asamblenë e tyre.

[13] Mjerë ata, sepse janë larguar prej meje! Shkatërrim për ta, sepse janë rebeluar kundër meje! Unë do të doja t'i shpengoja, por ata thonë gënjeshtra kundër meje.

[14] Ata nuk më thërresin me zemrën e tyre, por ankohen në shtratin e tyre. Mblidhen bashkë për grurin dhe verën dhe rebelohen kundër meje.

[15] Megjithëse i kam dënuar dhe kam përforcuar krahët e tyre, ata thurin të keqen kundër meje.

[16] Ata kthehen, por jo te Shumë i Larti; janë si një hark që gabon; krerët e tyre do të bien nga shpata për shkak të tërbimit të gjuhës së tyre; kjo do t'i bëjë qesharakë në vendin e Egjiptit".

Osea — Chapters