[1] "Tërë priftërinjtë levitë, tërë fisi i Levit, nuk do të kenë pjesë as trashëgimi në Izrael; do të jetojnë me flijimet e bëra me zjarr për Zotin, trashëgimi e tij.
[2] Nuk do të kenë asnjë trashëgimi nga vëllezërit e tyre; sepse Zoti është trashëgimia e tyre, ashtu siç ua ka thënë.
[3] Kjo është ajo që i detyrohet priftit populli, ata që ofrojnë një flijim, qoftë një lopë, një dele apo një dhi; ata do t'i japin priftit shpatullat, nofullat dhe plëndësin.
[4] Do t'i japësh prodhimin e parë të grurit tënd, të mushtit tënd dhe të vajit tënd, si dhe qethjen e parë të dhenve të tua;
[5] sepse Zoti, Perëndia yt, e ka zgjedhur midis gjithë fiseve të tu për të kryer shërbimin në emër të Zotit, atë vetë dhe bijtë e tij për gjithnjë
[6] Por në rast se një Levit, që ka ardhur nga një prej qyteteve të tua të të gjithë Izraelit, ku ai banonte, vjen me gjithë dëshirën e zemrës së tij në vendin e zgjedhur nga Zoti,
[7] atëherë ai do të mund të shërbejë në emër të Zotit, Perëndisë së tij, ashtu si gjithë vëllezërit e tij Levitë që ndodhen aty përpara Zotit.
[8] Ata do të marrin për mbajtjen e tyre pjesë të barabarta, përveç parave nga shitja e pasurisë së tyre.
[9] Kur do të hysh në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep, nuk do të mësosh të shkosh pas veprave të neveritshme të këtyre kombeve.
[10] Të mos gjendet midis teje ndonjë që e kalon birin ose bijën e vet nëpër zjarr, as ndonjë që praktikon shortarinë, bën parashikime, interpreton shenjat dhe merret me magji,
[11] as ai që përdor yshtje, as mediume që konsultojnë frymat, as magjistarë, as ai që ndjell të vdekurit,
[12] sepse të gjithë ata që merren me këtë punë neveriten nga Zoti; dhe për shkak të kësaj neverie, Zoti është duke i përzënë para teje.
[13] Ti do të jesh i përkryer para Zotit, Perëndisë tënd;
[14] sepse kombet, që ti do të dëbosh, i kanë dëgjuar shortarët dhe magjistarët; kurse ty, Zoti, Perëndia yt, nuk të ka lejuar të veprosh kështu.
[15] Zoti, Perëndia yt, do të krijojë për ty një profet si unë në mes teje dhe vëllezërve të tu; atë keni për ta dëgjuar,
[16] në bazë të gjithë atyre gjërave që i kërkove Zotin, Perëndinë tënd, në Horeb, ditën e asamblesë, kur the: "Të mos dëgjoj më zërin e Zotit, Perëndisë tim, dhe të mos shoh më këtë zjarr të madh, që unë të mos vdes".
[17] Dhe Zoti më tha: "Atë që thanë, është mirë;
[18] unë do të nxjerr për ta një profet nga gjiri i vëllezërve të tyre dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia, dhe ai do t'u thotë atyre të gjitha ato që unë do t'i urdhëroj.
[19] Dhe do të ndodhë që në se dikush nuk i dëgjon fjalët e mia që ai thotë në emrin tim, unë do t'i kërkoj llogari.
[20] Por profeti që pretendon të thotë në emrin tim një gjë për të cilën unë e kam urdhëruar ta thotë ose që flet në emër të perëndive të tjera, ai profet do të vritet".
[21] Dhe në se ti thua në zemrën tënde: "Si do të bëjmë për të dalluar fjalën që Zoti nuk ka thënë?".
[22] Kur profeti flet në emër të Zotit dhe kjo gjë nuk ndodh dhe nuk realizohet, kemi të bëjmë me një gjë që Zoti nuk e ka thënë; e ka thënë profeti me mendjemadhësi; mos ki frikë prej tij".