[1] Ju lutemi, o vëllezër, lidhur me ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht dhe me tubimin tonë me të,
[2] të mos lejoni që menjëherë t'ju prishet mendja ose të trazoheni as prej fryme, as prej fjale, as prej ndonjë letre gjoja të shkruar prej nesh, thua se ja, erdhi dita e Krishtit.
[3] Askush të mos ju gënjejë kursesi, sepse ajo ditë nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia dhe pa u shfaqur njeriu i mëkatit, i biri i humbjes,
[4] kundërshtari, ai që lartëson veten mbi çdo gjë që quhet perëndi ose objekt adhurimi, aq sa të shkojë e të rrijë në tempullin e Perëndisë si Perëndi, duke e paraqitur veten se është Perëndi.
[5] A nuk ju bie ndër mend se, kur isha akoma ndër ju, jua thoja këto gjëra?
[6] Tani e dini atë që e ndalon atë që të shfaqet vetëm në kohën e vet.
[7] Misteri i paudhësisë në fakt është tashmë në veprim, duke pritur vetëm që të hiqet nga mesi ai që e ndalon tashti.
[8] Atëherë do të shfaqet ky i paudhë, të cilin Zoti do ta shkatërrojë me hukatjen e gojës së tij dhe do ta asgjësojë me të dukurit e ardhjes së tij.
[9] Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të Satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrrekullish të rreme,
[10] dhe nga çdo mashtrim ligësie për ata që humbin, sepse nuk pranuan ta duan të vërtetën për të qenë të shpëtuar.
[11] E prandaj Perëndia do t'u dërgojë atyre një gënjim që do t'i bëjë të gabojnë, që t'i besojnë gënjeshtrës,
[12] që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, por përqafuan ligësinë!
[13] Por ne duhet ta falënderojmë vazhdimisht Perëndinë për ju, o vëllezër të dashur nga Zoti, sepse Perëndia ju zgjodhi që në fillim për t'ju shpëtuar, me anë të shenjtërimit të Frymës dhe të besimit në të vërtetën;
[14] tek e cila ju thirri me anë të ungjillit tonë, që të arrini të merrni lavdinë e Zotit tonë Jezu Krisht.
[15] Prandaj, vëllezër, qëndroni dhe mbani porositë që mësuat, me anë të fjalës ose me anë të letrës sonë.
[16] Dhe vetë Zoti jonë Jezu Krisht dhe Perëndia Ati ynë, që na deshi dhe na dha me anë të hirit një ngushëllim të përjetshëm dhe një shpresë të mirë,
[17] ngushëlloftë zemrat tuaja dhe ju forcoftë në çdo fjalë e punë të mirë.