Skip to content
Opens in a new window

[1] Davidi sapo e kishte kaluar majën e malit; kur ja, Tsiba, shërbëtor i Mefiboshethit, i doli përpara me gomarë me samar dhe të ngarkuar me dyqind bukë, njëqind vile rrushi të thatë, njëqind fruta vere dhe një calik me verë.

[2] Mbreti i tha Tsibas: "Ç'ke ndërmënd të bësh me këto gjëra?". Tsiba iu përgjigj: "Gomarët do t'i shërbejnë shtëpisë së mbretit për të hipur; buka dhe frutat e verës do të përdoren për të ushqyer të rinjtë, dhe vera do të pihet nga ata që do të jenë të lodhur në shkretëtirë".

[3] Mbreti tha: "Ku është biri i zotërisë tënd?". Tsiba iu përgjigj mbretit: "Ja, mbeti në Jeruzalem, sepse tha: "Sot shtëpia e Izraelit do të më kthejë mbretërinë e atit tim"".

[4] Atëherë mbreti i tha Tsibas: "Ja, të gjitha ato që janë pronë e Mefiboshethit janë të tua". Tsiba iu përgjigj: "Unë po bie përmbys para teje. Paça hirin tënd, o mbret, o imzot!".

[5] Kur mbreti David arriti në Bahurim, që andej doli një njeri që ishte i fisit të shtëpisë së Saulit, ai quhej Shimei dhe ishte bir i Gerit. Ai po dilte duke shqiptuar mallkime,

[6] dhe hidhte gurë kundër Davidit dhe gjithë shërbëtorëve të mbretit David, ndërsa tërë populli dhe tërë trimat ishin radhitur në të djathtë dhe në të majtë të mbretit.

[7] Ndërsa mallkonte, Shimei thoshte: "Shko, pra, shko, njeri gjakatar dhe i kobshëm!

[8] Zoti ka bërë që mbi kokën tënde të bjerë gjaku i shtëpisë së Saulit, në vend të cilit ti ke mbretëruar; dhe Zoti e ka dhënë mbretërinë në duart e Absalomit, birit tënd; dhe ja, tani je bërë rob i vetë ligësisë sate, sepse je njeri gjakatar".

[9] Atëherë Abishai, bir i Tserajahut, i tha mbretit: "Pse ky qen i ngordhur duhet të mallkojë mbretin, zotërinë time? Të lutem, më lër të shkoj t'i pres kokën!".

[10] Por mbreti iu përgjigj: "Ç'kam të bëj unë me ju, bijtë e Tserujahut? Prandaj lëreni të mallkojë, sepse Zoti i ka thënë: "Mallko Davidin!". Dhe kush mund të thotë: "Pse silleni kështu?"

[11] Pastaj Davidi i tha Abishait dhe tërë shërbëorëve të tij: "Ja, im bir, që ka dalë nga barku im, kërkon të më heqë jetën aq më shumë dhe ky Beniaminit! Lëreni të rrijë dhe të mallkojë, sepse ia ka urdhëruar Zoti.

[12] Ndoshta Zoti do ta shohë hidhërimin tim dhe do të më bëjë të mira në vend të mallkimeve që më drejton sot".

[13] Kështu Davidi dhe njerëzit e tij e vazhduan rrugën e tyre; edhe Shimei ecte anës së malit, përballë Davidit, dhe rrugës e mallkonte atë, i hidhte gurë dhe pluhur.

[14] Mbreti dhe tërë njerëzit që ishin me të arritën në vendin e caktuar të lodhur, dhe aty e morën veten.

[15] Ndërkohë Absalomi dhe tërë populli, njerëzit e Izraelit, kishin hyrë në Jeruzalem; Ahithofeli ishte me të.

[16] Kur Hushai, Arkiti, miku i Davidit, arriti tek Absalomi, Hushai i tha Absalomit: "Rroftë mbreti! Rroftë mbreti!".

[17] Absalomi i tha Hushait: "Kjo është dashuria që ke për mikun tënd? Pse nuk shkove me mikun tënd?".

[18] Hushai iu përgjigj Absalomit: "Jo, unë do të jem me atë që Zoti, gjithë ky popull dhe tërë njerëzit e Izraelit kanë zgjedhur, dhe do të mbetem me të.

[19] A nuk duhet vallë, të vihem në shërbim të birit të tij? Ashtu si i kam shërbyer atit tënd, në të njëjtën mënyrë do të të shërbej edhe ty".

[20] Atëherë Absalomi i tha Ahithofelit: "Jepni këshillën tuaj! Ç'duhet të bëjmë?".

[21] Ahithofeli iu përgjigj kështu Absalomit: "Hyrë te konkubinat e atit tënd që ai ka lënë për të ruajtur shtëpinë, kështu tërë Izraeli do të mësojë që je bërë i urryer për atin tënd dhe ata që janë me ty do të marrin guxim".

[22] Ngritën pastaj një çadër mbi taracën për Absalomin, dhe Absalomi hyri te konkubinat e atit të tij në sytë e tërë Izraelit.

[23] Në ato ditë, këshilla e dhënë nga Ahithofeli kishte po atë vlerë të atij që kishte konsultuar fjalën e Perëndisë. Këtë vlerë kishte çdo këshillë e Ahithofelit si për Davidin ashtu dhe për Absalomin.

2 i Samuelit — Chapters