Skip to content
Opens in a new window

[1] Pastaj Abijahun pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Asa. Në kohën e tij vendi qe i qetë dhjetë vjet.

[2] Asa bëri atë që ishtë e mirë dhe e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë të tij.

[3] Ai hoqi nga vendi altarët e perëndive të huaj dhe vendet e larta, shkatërroi shtyllat e shenjta dhe i bëri copë-copë Asherimët.

[4] Përveç kësaj urdhëroi Judën të kërkojë Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, dhe të zbatojë në praktikë ligjin dhe urdhërimet.

[5] Hoqi gjithashtu nga të gjitha qytetet e Judës vendet e larta dhe idhujt; dhe me të mbretëria njohu një periudhë qetësie.

[6] Ai ndërtoi qytete të fortifikuara në Judë, sepse vendi ishte i qetë. Në ato vite nuk pati asnjë luftë kundër tij, sepse Zoti i kishte dhënë qetësi.

[7] Ai u thoshte atyre të Judës: "Le t'i ndërtojmë këto qytete dhe t'i rrethojmë me mure, me kulla, me porta dhe shufra. Vendi është akoma në dispozicionin tonë, sepse kemi kërkuar Zotin, Perëndinë tonë; ne e kemi kërkuar dhe ai na ka dhënë paqe rreth e qark". Kështu ata iu vunë ndërtimit dhe u begatuan.

[8] Asa kishte një ushtri prej treqindmijë njerëzish nga Juda që mbanin ushta dhe mburoja, si dhe dyqind e tetëdhjetë mijë nga Beniamini që mbanin mburoja dhe gjuanin me hark; tërë këta ishin burra të fortë dhe trima.

[9] Kundër tyre doli Zerahu, Etiopasi, me një ushtri prej një milion burrash dhe me treqind qerre dhe arriti deri në Mareshah.

[10] Asa doli atëherë kundër tij dhe u vendosën në rend beteje në luginën e Tsefathahut pranë Mareshahut.

[11] Atëherë Asa i klithi Zotit, Perëndisë të tij, dhe tha: "O Zot, nuk ka njeri veç teje që mund të ndihmojë në luftimet midis një të fuqishmi dhe atij që i mungon forca. Na ndihmo, o Zot, Perëndia ynë, sepse ne mbështetemi te ti dhe dalim kundër kësaj shumice në emrin tënd. O Zot, ti je Perëndia ynë; mos lejo që njeriu të ta kalojë ty!".

[12] Kështu Zoti goditi Etiopasit përpara Asas dhe përpara Judës, dhe Etiopasit ua mbathën këmbëve.

[13] Atëherë Asa dhe njerëzit që ishin me të i ndoqën deri në Gherar. Prandaj Etiopasit u mundën, prej tyre nuk mbeti asnjë i gjallë, sepse ata u shkatërruan përpara Zotit dhe ushtrisë së tij. Dhe ata morën një plaçkë shumë të madhe.

[14] Pastaj sulmuan tërë qytetet rreth e qark Gherarit, sepse tmeri i Zotit i kishte zënë, dhe ata plaçkitën tërë qytetet në të cilat kishte plaçkë të madhe.

[15] Sulmuan gjithashtu vathët e bagëtive dhe morën me vete një numër të madh dhensh dhe devesh. Pastaj u kthyen në Jeruzalem.

2 i Kronikave — Chapters