[1] Sa për kohët dhe për stinët, vëllezër, nuk keni nevojë që t'ju shkruaj,
[2] sepse ju vetë e dini shumë mirë se dita e Zotit do të vijë, si një vjedhës natën.
[3] Sepse, kur thonë: "Paqe dhe siguri", atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë dhe nuk do të shpëtojnë.
[4] Por ju, vëllezër, nuk jeni në errësirë, që ajo ditë t'ju zërë në befasi si një vjedhës.
[5] Të gjithë ju jeni bij të dritës dhe bij të ditës; ne nuk jemi të natës, as të territ.
[6] Le të mos flemë, pra, si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të esëll.
[7] Sepse ata që flejnë, flejnë natën, dhe ata që dehen, dehen natën.
[8] Kurse ne, mbasi jemi të ditës, jemi të esëll, duke veshur parzmoren e besimit dhe të dashurisë, dhe për përkrenare shpresën e shpëtimit.
[9] Sepse Perëndia nuk na ka caktuar për zemërim, por për të marrë shpëtimin me anë të Zotit tonë Jezu Krisht,
[10] i cili vdiq për ne kështu që, qofshim zgjuar qofshim fjetur, jetojmë bashkë me të.
[11] Prandaj ngushëlloni njeri tjetrin dhe ndërtoni njeri tjetrin ashtu sikur edhe bëni.
[12] Tashmë, vëllezër, ju lutemi të keni respekt për ata që mundohen midis jush, që janë në krye ndër ju në Zotin dhe që ju qortojnë,
[13] edhe t'i vlerësoni shumë në dashuri për veprën e tyre. Jetoni në paqe midis jush.
[14] Tani, vëllezër, ju bëjmë thirrje t'i qortoni të parregulltit, të ngushëlloni zemërlëshuarit, të ndihmoni të dobëtit dhe të jeni të duruar me të gjithë.
[15] Vështroni se mos dikush t'ia kthejë dikujt të keqen me të keqen; po kërkoni gjithmonë të mirën edhe te njeri tjetri edhe te të gjithë.
[16] Jini gjithmonë të gëzuar.
[17] Lutuni pa pushim.
[18] Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.
[19] Mos e shuani Frymën.
[20] Mos i përbuzni profecitë.
[21] Provoni të gjitha, mbani të mirën.
[22] Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë.
[23] Dhe Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ai vetë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht.
[24] Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë.
[25] Vëllezër, lutuni për ne.
[26] Përshëndetni të gjithë vëllezërit me puthje të shenjtë.
[27] Ju përbetoj për Zotin që kjo letër t'u lexohet gjithë vëllezërve të shenjtë.
[28] Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju. Amen.