Skip to content
Opens in a new window

[1] Kur Samueli u plak emëroi bijtë e tij si gjyqtarë të Izraelit.

[2] I parëlinduri i tij quhej Joel dhe i dyti Abiah; ata ushtronin funksionin e gjyqtarit në Beer-Sheba.

[3] Por bijtë e tij nuk ndoqën shembëllin e tij, u larguan nga rruga e drejtë duke siguruar fitime të palejueshme, pranuan dhurata dhe e prishnin drejtësinë.

[4] Atëherë tërë pleqtë e Izraelit u mblodhën, erdhën te Samueli në Ramah,

[5] dhe i thanë: "Ja, ti tani je plakur dhe bijtë e tu nuk ndjekin gjurmët e tua; prandaj cakto mbi ne një mbret që të na qeverisë ashtu siç ndodh në të gjitha kombet".

[6] Por kjo nuk i pëlqeu Samuelit, sepse ata kishin thënë: "Na jep një mbret që të na qeverisë". Prandaj Samueli iu lut Zotit.

[7] Dhe Zoti i tha Samuelit: "Dëgjo zërin e popullit për të gjitha ato që të thotë, sepse ata nuk të kanë hedhur poshtë ty, por kanë hedhur poshtë mua, me qëllim që unë të mos mbretëroj mbi ta.

[8] Sillen me ty, ashty siç kanë bërë gjithnjë nga dita që i nxora nga Egjipti e deri më sot: më kanë braktisur për t'u shërbyer perëndive të tjera.

[9] Tani, pra, dëgjo kërkesën e tyre, por lajmëroi solemnisht dhe shpallju të drejtat e mbretit që do të sundojë mbi ta".

[10] Kështu Samueli i tregoi tërë fjalët e Zotit drejtuar popullit që i kërkonte një mbret.

[11] Dhe tha: "Këto do të jenë të drejtat e mbretit që do të mbretërojë mbi ju. Ai do t'i marrë bijtë tuaj dhe do t'i caktojë në qerret e tij, me qëllim që të bëhen kalorës të tij dhe të vrapojnë përpara qerreve;

[12] për t'i bërë ata kapidanë të mijëshëve dhe të pesëdhjetëshëve, për t'i vënë ata t'i lërojnë arat, t'i korrin të lashtat, t'i prodhojnë armë lufte dhe vegla për qerret e tij.

[13] Do të marrë bijat tuaja për t'i bërë parfumiere, gjellbërëse dhe furrtare.

[14] Do të marrë arat tuaja, vreshtat dhe ullishtet tuaja; më të mirat që keni, për t'ua dhënë eunukëve dhe shërbëtorëve të tij.

[15] Do të marrë të dhjetën e farërave dhe të vreshtave tuaja për t'ua dhënë eunukëve dhe shërbëtorëve të tij.

[16] Do të marrë shërbëtorët, shërbëtoret, të rinjtë tuaj më të mirë dhe gomarët që keni për t'i përdorur në punimet e tij.

[17] Do të marrë edhe të dhjetën e kopeve tuaja, dhe ju do të jeni skllevërit e tij.

[18] Atë ditë ju do të ulërini për shkak të mbretit që keni për vete, por Zoti nuk do t'ju përgjigjet".

[19] Me gjithatë populli nuk deshi t'i dëgjojë fjalët e Samuelit dhe tha: "Jo, do të kemi një mbret mbi ne.

[20] Kështu do të jemi edhe ne si gjithë kombet; mbreti ynë do të na qeverisë, do të na dalë në krye dhe do të luftojë në betejat tona".

[21] Samueli i dëgjoi tërë fjalët e popullit dhe ia tregoi Zotit.

[22] Zoti i tha Samuelit: "Dëgjoje kërkesën e tyre dhe cakto një mbret mbi ta". Atëherë Samueli u tha njerëzve të Izraelit: "Secili të kthehet në qytetin e tij".

1 i Samuelit — Chapters