[1] Djema të mi, ju shkruaj këto gjëra që të mos mëkatoni; dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin.
[2] Ai është shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për ata të të gjithë botës.
[3] Dhe nga kjo e dimë se e kemi njohur atë, në qoftë se i zbatojmë urdhërimet e tij.
[4] Ai që thotë: ''Unë e kam njohur atë'', dhe nuk zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të.
[5] Por kush e zbaton fjalën e tij, në të me të vërtetë dashuria e Perëndisë është përsosur. Nga kjo e njohim se jemi në të.
[6] Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë edhe vetë sikurse ka ecur ai.
[7] Vëllezër, nuk ju shkruaj një urdhërim të ri, por një urdhërim të vjetër, që e kishit nga fillimi: urdhërimi i vjetër është fjala që dëgjuat nga fillimi.
[8] E megjithatë po ju shkruaj një urdhërim të ri, që është i vërtetë në të dhe në ju, sepse errësira po shkon dhe tashmë po ndrit drita e vërtetë.
[9] Ai që thotë se është në dritë dhe urren vëllanë e vet, është ende në errësirë.
[10] Ai që e do vëllanë e vet qëndron në dritë dhe nuk ka asgjë në të që e bënë të bjerë.
[11] Por ai që urren vëllanë e vet është në errësirë, ecën në errësirë dhe nuk di ku shkon, sepse errësira ia ka verbuar sytë.
[12] Djema, ju shkruaj sepse mëkatet ju janë falur nëpërmjet emrit të tij.
[13] Etër, ju shkruaj sepse ju e keni njohur atë që është që nga fillimi. Të rinj, ju shkruaj sepse e mundët të ligun. Djema, po ju shkruaj sepse e keni njohur Atin.
[14] Etër, ju kam shkruar sepse e keni njohur atë që është nga fillimi. Të rinj, ju kam shkruar sepse jeni të fortë dhe fjala e Perëndisë qëndron në ju dhe sepse e mundët të ligun.
[15] Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Ne qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të,
[16] sepse gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati, por nga bota.
[17] Dhe bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë.
[18] Fëmijë, është ora e fundit. Dhe, sikurse e dëgjuat, antikrishti duhet të vijë, dhe tani janë shfaqur shumë antikrishtë; prej nga e dimë se është ora e fundit.
[19] Mes nesh dolën, por nuk ishin nga tanët, sepse, po të ishin nga tanët, do të kishin qëndruar me ne; por kjo ndodhi që të dalë se nuk janë të gjithë nga tanët.
[20] Por ju keni vajosjen nga i Shenjti dhe i dini çdo gjë.
[21] Nuk ju shkrova juve sepse nuk e njihni të vërtetën, por sepse ju e njihni dhe sepse asnjë gënjeshtër nuk del nga e vërteta.
[22] Kush është gënjeshtari, veçse ai që mohon se Jezus është Krishti? Antikrishti është ai, që mohon Atin dhe Birin.
[23] Kushdo që mohon Birin, s'ka as Atin; kushdo që njeh Birin, ka edhe Atin.
[24] Ajo që ju, pra, dëgjuat nga fillimi le të qëndrojë në ju; në qoftë se ajo që dëgjuat nga fillimi qëndron në ju, edhe ju do të qëndroni në Birin dhe në Atin.
[25] Dhe ky është premtimi që ai na bëri: jeta e përjetshme.
[26] Ju shkrova këto gjëra për ata që kërkojnë t'ju gënjejnë.
[27] Dhe, sa për ju, vajosja që keni marrë prej tij qëndron në ju dhe nuk keni nevojë që ndokush t'ju mësojë; por, duke qenë se vajosja e tij ju mëson çdo gjë dhe është e vërtetë e nuk është gënjeshtër, qëndroni në të ashtu sikurse ju mësoi.
[28] Edhe tani, djema, qëndroni në të që, kur të shfaqet ai, ne të mund të kemi besim, dhe në ardhjen e tij të mos turpërohemi para Tij.
[29] Në qoftë se e dini se ai është i drejtë, ta dini se kushdo që praktikon drejtësinë ka lindur prej tij.